Operatori i Sistemit te Transmetimit

Shqipëri-Kosovë, nis operimin blloku i përbashkët rregullues dhe linja 400 kV - OST
December 30, 2020 elio cena

Shqipëri-Kosovë, nis operimin blloku i përbashkët rregullues dhe linja 400 kV

Shqipëria dhe Kosova finalizojnë me sukses një hap të rëndësishëm në sektorin elektro-energjetik. Nga dita e sotme, nis operimi i pavarur i Kosovës, si zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë, si dhe nis nga funksionimi linja e transmetimit 400 kV Shqipëri-Kosovë.

Bashkëpunimi mes Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe KOSTT në Kosovë kanë dakortësuar mes tyre krijimin e bllokut Shqipëri-Kosovë, i quajtur ndryshe si “AK”, i cili do të sjellë aplikimin e një koncepti të ri të operimit të sistemit elektro-energjetik shqiptarë, ku së bashku me Bursën e Energjisë “ALPEX”, do të nxisë zhvillimin e përbashkët të tregut të energjisë në të dyja vendet.

Kryeministri, Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, drejtori i OST, Skerdi Drenova, si dhe përfaqësues të Bordit Drejtues të KOSTT ishin të pranishëm në nisjen e operimit të bllokut të përbashkët rregullues dhe linjës 400 kV.

“Dita e sotme shënon përmbylljen e një rrugëtimi të gjatë dhe të një pune të palodhur të të dy vendeve tona, me qëllim rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektro-energjetike drejt integrimit të tyre edhe në nivelin rajonal dhe europian”, u shpreh drejtori i OST duke shtuar se nga sot nis operimi edhe i linjës 400 kilovolt, Koman-Kosova B.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e cilësoi finalizimin e këtyre dy proceseve si një gur kilometrik në zhvillimin energjetik për të dyja vendet. “Krijimi i këtij blloku të ri, midis KOSTT dhe OST, nuk sjell vetëm këtë zhvillim të rëndësishëm, por krijon një panoramë të re energjetike për vendin, duke rritur sigurinë energjetike, duke krijuar një treg të përbashkët, i cili do na ndihmojë të dyja palëve që të jemi konkurrentë në rajon dhe ndoshta duke krijuar kështu edhe rezerva, të cilat do të jenë të rëndësishme për secilën palë, por do të menaxhohen dhe në mënyrë të përbashkët”, u shpreh Balluku.

Përmes një sërë investimesh të realizuara dhe disa të tjera që pritet të nisin shumë shpejt, siç është mes të tjerash, ndërtimi i dy parqeve fotovoltaike, sektori energjetik në Shqipëri ka hedhur hapa të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve prodhuese.

“Shqipëria tashmë ka linja interkoneksioni të rëndësishme në operim dhe po përgatitemi për të futur edhe një tjetër shumë shpejt. Ky investim i ri, i cili bëhet operativ, na jep mundësi që ne të jemi jo thjesht një vend i bazuar në burimet energjetike të rinovueshme, të cilat tashmë janë shumë të kërkuara nga i gjithë tregu europian për shkak të balancimit të kuotave të karbonit, por na bën gjithashtu një fuqi eksportuese. Kjo është diçka që ne prej kohësh kemi kërkuar që të arrijmë. Kjo është diçka që së bashku me ndërtimin e Skavicës, së bashku me ndërtimin e parqeve energjetike fotovoltaike do të na japë mundësinë për të tregtuar energjinë e prodhuar në vend dhe për të balancuar në të ardhmen të gjitha rezervat tona, të cilat do të menaxhohen për shkak të krijimit të këtij blloku në mënyrë të përbashkët me Kosovën”, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Më në fund ja kemi dalë ta arrijmë këtë ditë, u shpreh kryeministri Rama, duke sjellë në vëmendje të gjithë pengesat të cilat vonuan operimin e këtij projekti.

“Fundi i kësaj historie përmes shtypjes së një butoni të vetëm, i jep jetë sot një hapësire të përbashkët të integruar energjetike mbarë shqiptare. Një hapësirë e pavarur, në një treg sigurisht më të gjerë rajonal, që njëherazi është dhe një hallkë themelore e një sistemi edhe më të madh e të gjerë, siç është sistemi mbarë europian i transmetimit të energjisë. Vënia në operim e linjës 400kV do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm pozitiv në sigurinë e operimit të sistemit elektro-energjitik shqiptar dhe njëkohësisht do të rrisë konsiderueshëm kapacitetin e rrjetit interkonektiv të OST”, u shpreh mes të tjerash kreu i qeverisë.

Përfaqësuesit e KOSTT, përmes një lidhje online, e cilësuan ditën e sotme si historike pasi shënon një arritje të madhe për të dyja vendet, teksa nënvizuan rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit duke krijuar mundësinë që të dyja vendet të jenë një bllok i fuqishëm në rajon.