Teknologjia fotovoltaike, MIE diskuton masat për përshtatjen optimale me rrjetin

Punime për instalimin e sistemit të matjes në N/Stacionin Lushnje, në datë 20/02/2019 nga ora 08:00 deri në orën 16:00
February 20, 2019
Njoftim për Shtyp – Për stakim të domosdoshëm të linjës Kalimash – Kukës, në datë 21/02/2019 nga ora 09:00 deri në orën 12:00
February 20, 2019

Teknologjia fotovoltaike, MIE diskuton masat për përshtatjen optimale me rrjetin

 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zhvilluar një tryezë teknike me institucionet e fushës së energjisë për të diskutuar problematikën që lidhet me teknologjinë e fotovoltaikëve për vetëkonsum. Në këtë tryezë merrnin pjesë përfaqësues dhe ekspertë të MIE, OST, OSHEE dhe KESH.

Që prej miratimit të ligjit “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, MIE është përballur me problematika që vijnë si rezultat i implementimit të një teknologjie të re për Shqipërinë përsa i përket paneleve voltaike, teknologji e re në kuptimin e akomodimit të tyre në rrjetin e shpërndarjes.

Duke çelur tryezën e diskutimit, ministrja Belinda Balluku është shprehur: “MIE respekton dhe mbështet përpjekjet për të zhvilluar teknologjinë solare për prodhimin e energjisë elektrike si një praktikë e re që në 10 vjeçarin e fundit ka gjetur zhvillim në shumë vende evropiane por edhe në gjithë botën. Instalimi i sistemeve të tilla në përputhje me ligjin është i mirëpritur, por kërkon gjithashtu vëmendje të veçantë teknike me qëllim respektimin e kodit të shpërndarjes”.

Sipas ministres shqetësimi i grupit të interesit për udhëzimin e ministrit që ende nuk ka dalë është absolutisht legjitim dhe kjo është arsyeja e mbledhjes së kësaj tryeze. “Përmes një bisede teknike duhet të qartësojmë se kush janë problematikat, të cilat kanë sjellë këtë vonesë, por që praktikisht nuk është një vonesë, është kohë që ne kemi marrë në dispozicion për të dhënë zgjidhjen më të mirë dhe çfarë është më e rëndësishme një zgjidhje afatgjatë këtij problemi, pra jo një zgjidhje momentale, rast pas rasti”, ka thënë ministrja Balluku.

Ajo ka vijuar duke theksuar: “Është totalisht implementimi i një politike të re të energjetikës, e cila po merr kohën e vet, pasi është një ndryshim total në mentalitetin e sjelljes së konsumatorit. Sot konsumatori do të kthehet në një prodhues dhe ky është një ekuilibër i cili duhet mbajtur pa asnjë gabim deri në fund”.

 

 

Më tej të gjithë të pranishmit në tryezë kanë dhënë mendimin e tyre për problematikën e fotovoltaikëve:

 

Ilir Bejtja Zëvendësministër MIE

Një shqetësim që ne kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe përgatitore ka qenë edhe fakti që pjesa më e madhe e klientëve tanë autoprodhues në të ardhmen, janë pjesë e tregut të rregulluar, që nuk është një treg i liberalizuar. Kjo ka pasur vështirësitë e veta dhe na është dashur të studiojmë edhe modele të tjera, të cilat kanë raste të ngjashme si i yni. Deri tani jemi duke studiuar dy modele net billing, netimi në sasi apo netimi në vlerë, i cili edhe ky do të kërkojë të marrë në konsideratë qoftë ndryshimin në kosto për prodhimin e kësaj energjie, ashtu edhe tregun fundor të rregulluar që ne kemi.

 

Gjergji Simaku Drejtor i Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë

MIE ka punuar gjatë këtyre 2 viteve që nga dalja e ligjit dhe e ka konsideruar këtë teknologji si një risi që po futet për herë të parë në vendin tonë, e cila sigurisht do të paraqiste problematika. Vonesa e vetme ka ardhur si rezultat i ratifikimit të të gjithë problematikave me operatorët për të gjetur një emërues të përbashkët dhe për të bërë më të mirën për konsumatorët. Është hera e parë që konsumatori sillet si prodhues, më saktë si vetëprodhues. Kjo tregon se nuk jemi të orientuar vetëm tek energjitë klasike hidro, por kemi filluar në masë diversifikimin e burimeve energjetike.

 

Agim Bregasi Drejtor i Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit në Fushën e Energjisë dhe Efiçencën e Energjisë

Pas daljes së ligjit për energjitë e rinovueshme pati një interes të madh nga bizneset, por edhe familjarë për të implementuar këtë teknologji me idenë jo vetëm për të diversifikuar burimet e energjisë, por edhe për të patur përfitime reale nga kjo lloj teknologjie. Në draftet që ne kemi përpunuar e diskutuar janë patur në kujdes të gjitha problemet qoftë të përputhjes me ligjin, por sidomos për të mbrojtur konsumatorin që nga entuziazmi për të patur pavarësi në furnizimin me energji elektrike, por edhe për të bërë biznes për të shitur energji mund të investojnë pa kriter dhe pastaj do mbeten para situatave që nuk do kenë ku ta çojnë këtë energji.

 

Skerdi Drenova  Administrator i OST

Çdo individ duhet të lidhi kontratë mirëmbajtje me kompanitë, të cilat duhet të jenë të licensuara për mirëmbajtjen dhe kontrollin e të gjithë këtyre prodhuesve të cilët mund të jenë të vegjël ose pak më të mëdhenj. Pse? Sepse kemi të bëjmë me një sistem delikat si nga pikëpamja teknike ashtu dhe nga pikëpamja e sigurisë. Dhe vetëm me anë të kompanive që do jenë të specializuara, të cilat do çertifikojnë dhe do kontrollojnë në mënyrë periodike sipas protokolleve kushtet që do vendosen nga OSHEE do të bëjë të mundur që rrjeti të jetë i sigurtë, duke shmangur çdo defekt teknik por njëkohësisht jemi në një sistem operimi i cili nuk do krijojë probleme në të ardhmen.

 

Petraq Lika Drejtor Teknik OSHEE

Fillimisht dua të transmetoj gjendjen aktuale të rrjetit të shpërndarjes së OSHEE-së, i cili operon mbi një licencë të caktuar. Mund t’ju them që është një rrjet relativisht i vjetër, në një moshë mesatare prej 40 vjet, e dominon rrjetit ajror. 82% të gjithë gjatësisë është rrjet ajror që është shumë i influencuar nga ndryshimet klimaterike. Njëkohësisht mund t’ju them që edhe në bazë të normave të Komunitetit Europian janë disa tregues të cilët neve i referohemi. Por kjo nuk do të thotë që ne si shpërndarës të energjisë eklektike të mos përqafojmë iniciativat që i njeh dhe përcakton ligji saktësisht por dhe “best practices” të Komunitetit Europian.

 

Elton Sevrani Drejtor i Divizionit Tregtar OSHEE

Problematika ka, por besoj se ne duhet t’i japim frymë pozitive diskutimit, sepse OSHEE në funksionet e tij ka mbi 10 vjet që është mësuar me risi dhe me zhvillimet që kërkon koha, ashtu sikurse edhe komuniteti ndërkombëtar i energjisë ku ne kërkojmë të aderojmë. OSHEE në funksionin e furnizuesit të shërbimit universal duhet të sigurojë energjinë më të lirë, më ekonomike dhe më efiçente për të pasur një furnizim të garantuar të të gjithë klientëve që aderojnë në këtë rrjet. Eksperienca ka treguar që vendimmarrje të shpejta, pa një studim fizibiliteti të elementëve teknikë dhe të efekteve të ardhshme si në elementët e rrjetit ashtu dhe në elementët financiarë, kanë sjellë problematika me të cilat ne ndeshemi edhe sot pas 10 vitesh operimi të këtyre gjeneruesve të mëdhenj në treg.

Në mbyllje të tryezës ministrja Balluku është shprehur se MIE dhe agjencitë e sektorit të energjisë po bëjnë një punë shumë serioze dhe në ditët në vazhdim është planifikuar të organizohet edhe një interpelancë përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, në të cilën kanë ardhur disa kërkesa nga grupet e interesit, për të sqaruar të gjithë problematikën që ekziston si dhe për ta reflektuar atë në zgjidhjen sa më optimale të mundshme.

 

Albanian
Facebook
Instagram
YouTube