Skip to content

Ndërtimi i linjës 110kV dhe ndërtimi i nënstacionit të ri 110/20kV në Gjirin e Lalëzit.

Investimi 8 milionë euro, OST dhe OSHEE me projekt të integruar përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në zonën e Gjirit të Lalzit

Në zonën e Gjirit të Lalzit ka përfunduar investimi i përbashkët i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit, me një vlerë afro 8 milionë euro, i cili përmirëson cilësinë e furnizimit aktual me energji elektrike për të gjithë zonën turistike dhe në të njejtën kohë rrit kapacitetet duke ju përgjigjur zhvillimit të mëvonshëm të kësaj zone.

Në këtë investim, nga ana e OST u ndërtua linja 110 kV dhe shtesa e traktit 110 kV, një linjë me gjatësi 17,8 km e përbërë nga 57 shtylla metalike, në nënstacionin Sallmone. Ndërkohë, investimi i kryer nga OSHEE përfshin ndërtimin e nënstacionit të ri në Gjirin e Lalzit 110/20 kV dhe ndërtimin e 3 fiderave rrjeti tension i mesëm 20kV, me kabinat përkatëse.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i OST, Skerdi Drenova dhe administratori Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Petraq Lika, inspektoi investimin e bërë në këtë nënstacion.

“Ky është pjesë e një projekti të madh që quhet projekti i Gjirit të Lalzit për zonën turistike dhe e kemi ndarë në dy faza. Faza e parë është ndërtimi i burimit që është nënstacioni transformues. Këtu janë bashkërenduar veprimet ndërmjet dy operatorëve. Nga Kepi Rodonit dhe gjithë zona do të mbulohet me rrjetin 20 kilovoltsh. Duke qenë një zonë problematike ndaj kushteve klimaterike, linjat e reja do ti shmangin pasi do të bëhen me teknologji të reja, me linjat ABC të cilat janë rezistente nga mjedisit. Risi tjetër është që ky nënstacion përveç monitorimit lokal është i lidhur online me qendrën me sistemin “SCADA”, bëri të ditur administratori i OSSH, Petraq Lika.

Drejtori i OST, Skerdi Drenova e cilësoi investimin strategjik, sepse do t’i përgjigjet edhe kërkesave të bizneseve në zonën industriale të Durrësit. “Është një nënstacion i cili do jetë nesër edhe për zhvillimin e rrjeteve të fuqizimit të pikave të ndryshme, në vazhdim drejt Fushë Kuqes apo drejt Durrësit për të arritur zonat industriale të Porto Romanos. Do të rritet siguria e gjithë transmetimit, do të kemi sa më pak ndërprerje, pasi në fund të ditës ne luftojmë që përveç humbjes së energjisë edhe niveli i ndërprerjes së energjisë të jetë sa më i ulët”, u shpreh Drenova.

Ministrja Balluku vlerësoi këtë vepër të dy operatorëve të energjisë, duke theksuar se investime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e nivelit të humbjeve, duke bërë që Shqipëria t’i afrohet parametrave të Komunitetit Europian.

“Ky është një investim i përbashkët i OSHEE-së dhe OST-së dhe siç e kemi thënë gjithmonë, të gjitha projektet e integruara janë shumë të rëndësishme pasi bashkërendojnë dhe punën për të ardhmen jo vetëm investimin sot. Duhet të theksojmë që me këtë investim të bërë nga të dyja kompanitë, rreth 8 milionë euro, ne kemi ulur humbjet në rrjet në 8%. Duhet të mos harrojmë se kur qeveria Rama mori në dorëzim nga qeveria e mëparshme rrjetin elektrik të Republikës së Shqipërisë, ne i kemi pasur humbjet 45%, ndërkohë që sot kemi arritur në rreth 21% dhe ky është synimi për të mbyllur këtë vit kaq të vështirë”, deklaroi Balluku.

Investimi i OST dhe OSHEE do t’i përgjigjet jo vetëm zhvillimit të turizmit dhe banorëve të zonës përreth, por njëkohësisht do të përmirësojë cilësinë e shërbimit edhe për zonën industriale të Bashkisë së Durrësit.

“Këtu kemi një zonë shumë të rëndësishme zhvillimore e cila nuk është thjesht e lidhur me turizmin, por është një zonë ku agrikultura po lulëzon dhe gjithmonë e më shumë agrikultura nuk është e bazuar vetëm në mot edhe në tokë, por ka nevojë dhe për teknologji, ka nevojë si rrjedhojë për energji. Kjo është një zonë ku kemi dhe industri të vogla, të cilat në këto momente janë duke rritur kapacitetet e tyre dhe kjo është një zone, e cila furnizon një zonë të tërë industriale shumë të rëndësishme për ne, që është zona e Porto Romanos, e cila ka dhe projekte zgjerimi në atë zonë në të ardhmen, si zonat ekonomike, që janë të parashikuara në Spitallë apo dhe të tjera që janë parashikuar në zonën e Porto Romanos”, u shpreh ministrja Balluku.

OSHEE planifikon të investojë në zonën e Gjirit të Lalzit, rreth 7.3 milionë euro të ndara në disa projekte të rëndësishme, të cilat do të përfundojnë vitin e ardhshëm.