Operatori i Sistemit te Transmetimit

Investime me fonde të huazuara - OST
June 16, 2021 Specialist Specialist

Investime me fonde të huazuara

  1. Projekti “Programi i eficencës së energjisë të sektorit të transmetimit – Ndërtimi i linjës së transmetimit me dy qarqe 220 kV Tiranë – Rrashbull dhe Unaza 110 kV e Tiranës”

Financuesi është Qeveria e Republikës Federale Gjermane nepërmjet bankës KfW

  • Objektivi i projektit, përshkrimi dhe impakti

Ky projekt do të bëjë të mundur rritjen e besueshmërisë së funksionimit të rrjetit 220 kV të rajonit të Durrësit dhe të Jugut të Shqipërisë duke plotësuar kriteret teknike të sigurisë dhe cilësisë. Gjithashtu ky projekt do të përmirësojnë kushtet aktuale të furnizimit me energji elektrike të qytetit të Tiranës, duke konsideruar që një pjesë e rëndësishme e rrjetit unazor 110 kV që furnizon me energji elektrike nënstacionet e sistemit të shpërndarjes në zonën e Tiranës, i ndërtuar përpara mbi 40 vjetësh i përbërë nga linja ajrore të amortizuara dhe kapacitet transmetimi të limituar.

Në mënyrë të përmbledhur, objektivat e projektit janë:

  • Rritja e efiçencës së transmetimit të energjisë elektrike;

  • Zvogëlimi i humbjeve teknike të energjisë;

  • Zvogëlimi i numrit të defekteve, duke shmangur/zvogeluar sa më shumë të jetë e mundur ndërprerjen e energjisë për popullatën;

  • Zvogëlimi i kostos së mirëmbajtjes së linjave dhe N/S.

Me përfundimin e tij, Projekti pritet që të ketë një impakt pozitiv ekonomik dhe social. Në aspektin ekonomik OST-ja do të favorizohet nga ky Projekt pasi do të zvogëlohen humbjet teknike dhe gjithashtu edhe numri i orëve për riparimin e linjave. Ndërsa, në aspektin social ky Projekt do të ketë një impakt pozitiv kryesisht në zonën Tiranë – Durrës, e cila është zona me densitetin më të lartë të popullsisë në Shqipëri. Në këtë impakt përfshihen mundësia për punësim në fazën e implementimit të Projektit si edhe ulja e orëve të kufizimit të energjisë elektrike.

Projekti është i ndarë në dy Lote:

  • Lot 1 (Nënstacionet) me dy seksione, ku përfshihen:

Seksioni 1:

-Zgjerimi i Nenstacionit 220/110 kV Rrashbull” brenda sheshit ekzistues te ketij nenstacioni.

-Zgjerimi i Nenstacionit 400/220/110 kV Tirana 2″ brenda sheshit ekzistues te ketij nenstacioni.

Seksioni 2:

Ndërtimi i N/S – it të ri Tirana 3- 400/110/20 kV si edhe përforcimi i N/S-ve Tirana 1, Traktori dhe Selita.

  • Lot 2 (Linjat), me dy Seksione, ku përfshihen:

Seksioni 1:

Ndërtimi i një linje të re transmetimi me dy qarqe 400/220 kV Tirana 2 – Rrashbull dhe dy daljeve të reja 220 kV, përkatësisht në N/Stacionet Tirana 2 dhe Rrashbull.

Seksioni 2:

Ndërtimi i unazës 110 kV: Tirana 1 – Traktori linjë kabllore 110 kV, Tirana 3 – Traktori, linja 110 kV pjesërisht ajrore dhe pjesërisht kabllore, Tirana 3 – Selita, linja 110 kV pjesërisht ajrore dhe pjesërisht kabllore.

  • Realizimi i projektit:

Projekti është në fazën e implementimit.

Kontraktori që do të zbatojë projektin për Lotin 1 – Nënstacionet, është kompania  EFACEC Engenharia e Sistemas S.A. – Portugali.

Kontraktori që do të zbatojë projektin për Lotin 2 – Linjat, është kompania ENERGOINVEST, d.d-Sarajevo – Bosnjë & Hercegovina.

  1. Projekti “Ndërtimi i linjës 400 kV Shqipëri – Maqedoni (Fier – Elbasan – Qafë Thanë).

Financuesit e projektit, janë Qeveria e Republikës Federale Gjermane nëpërmjet bankës KfW, BE (nëpërmjet WBIF) si dhe OST.

  • Objektivi i projektit, përshkrimi dhe impakti

Ky projekt përforcon lidhjet interkonektive me rrjetin rajonal të energjisë elektrike, duke krijuar kushte për shkëmbime tregëtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërise ku parashikohen të zhvillohen burimet e ardhshme të prodhimit të energjisë elektrike, dhe si pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Evropian, krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllit nënujor me Italinë.

Projekti përbëhet nga:

  • Ndërtimi i një linje 400 kV me një qark ndërmjet Elbasanit dhe Qafë-Thanës (kufiri shqiptaro-maqedonas);

  • Ndërtimi i një linje 400 kV me një qark midis Elbasanit dhe Fierit;

  • Ndërtimi i një nënstacioni të ri 400 kV Elbasan 3;

  • Forcimi dhe zgjerimi i nënstacionit të Fierit.

Ndërtimi i nje linje të re transmetimi 400 kV me një qark, për të implementuar një lidhje bi-nacionale mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe për të perforcuar lidhjen ekzistuese të transmetimit 220 kV të tej ngarkuar dhe të vjetër midis Elbasanit dhe Fier.

Ndërtimi i nënstacionit të ri Elbasan 3 dhe përforcimi dhe zgjerimi i nënstacionit egzistues të Fierit. Nënstacioni i ri Elbasan 3 do të zgjeroje nënstacionin ekzistues 400/220 kV Elbasan 2, me një impiant në nivelin 400 kV për të lidhur linjat Tiranë 2, Zemblak, Fier dhe Maqedoni si dhe instalimin e një shunt reaktori.

Gjithashtu nënstacioni Fier do të zgjerohet dhe pajiset me transformatorë 400/220 kV dhe një impiant në nivelin 400 kV për të lejuar lidhjen e 400 kV drejt Elbasanit 3.

Projekti është i ndarë në dy Lote: Lot 1 (Linjat) dhe Lot 2 (Nënstacionet).

  • Lot 1: Ndërtimi i linjës së transmetimit 400 kV Shqiperi – Maqedoni e Veriut (Fier – Elbasan – Qafë Thanë) – Linjat.

  • Loti 2: Ndërtimi i linjës së transmetimit 400 kV Shqiperi – Maqedoni e Veriut (Fier – Elbasan – Qafë Thanë) – Nënstacionet.

  • Realizimi i projektit:

Projekti është në fazën e implementimit.

Kontraktori që do të zbatojë projektin për Lotin 1 – Linjat, është  JV “Mitas Energy and Metal Construction Inc – DOKO sh.p.k” (Turqi & Shqipëri).

Kontraktori që do të zbatojë projektin për Lotin 2 – Nënstacionet, është kompania  “Mytilineos S.A.”- Greqi.

 

  1. Projekti “Furnizimi dhe Instalimi i Matjes së Transmetimit/Qendra e të Dhënave”.

 

Financuesi i projektit është Banka Botërore.

  • Objektivi i projektit, përshkrimi dhe impakti

Në vitin 2011 Qeveria Shqiptare kaloi konsumatorët e mëdhenj industrialë të lidhur në tension 110 kV dhe 220 kV, në tregun e parregulluar të energjisë, duke bërë të mundur zvogëlimin e detyrimeve të saj kundrejt këtyre subjekteve për furnizimin me energji elektrike. Këto ndryshime vendosën Shqipërinë përballë reformës së tregut të energjisë, të kërkuar nga direktivat e Bashkimit Europian. Hapi i radhës ishte zgjerimi i këtij procesi me konsumatorët e lidhur në tension të mesëm, çka do të reduktonte me tej detyrimet e Qeverisë kundrejt kësaj kategorie konsumatorësh, duke garantuar rregullimin e tarifës së transmetimit.

Projekti i Rimëkëmbjes së Energjisë – komponenti 3 – do të mbeshtesë OST-në për të krijuar infrastrukturën e nevojshme që kjo kategori konsumatorësh të dalë në tregun e parregulluar të energjisë. Për këtë, në këtë projekt u parashikua instalimi sistemit të matjes me matësa inteligjentë si dhe ngritja e qendrës së të dhënave, e cila do të menaxhonte të gjithë të dhënat e marra në kohë reale nga matësit inteligjentë.

Nën komponentin 3 përfshihen:

  1. Instalimi i sistemit të matjes në tension të mesëm për konsumatorët, fiderat, IPP (prodhuesit e pavarur të energjisë HEC) si dhe instalimi i qëndrës së të dhënave.

  2. Sistemet IT, në këtë projekt ishte parashikuar furnizimi dhe instalimi i sistemeve IT së bashku me qëndrën e të dhënave, angazhimi i asistencës teknike për zhvillimin dhe themelimin e platformës së tregut për IPP dhe për konsumatorë të mundshëm.

Në këtë projekt u parashikua instalimi i sistemit të matjes në:

  1. Konsumatorët e lidhur në tension 6 kV, 10 kV, 20 kV dhe 35 kV, (1067 pika matje);

  2. Fiderat e shpërndarjes së energjisë elektrike në tension 6 kV, 10 kV, 20 kV dhe 35 kV, (1167 fidera);

  3. Prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike (IPP) në tension 6 kV, 10 kV, 20 kV dhe 35 kV, (94 IPP);

  4. Instalimi qëndrës së të dhënave

  • Realizimi i projektit:

Projekti ka përfunduar në Maj 2021.

Në total, është instaluar sistemi i matjes në 1704 pika matjeje, të cilat plotësojne teknikalitetet e qëllimit të këtij projekti, që është një sistem matjeje në nje konsumator, fider apo IPP.

Projekti e ka arritur qëllimin e vet, duke siguruar insfrasktrukturën e nevojshme për daljen e tregun e parregulluar të energjisë të gjithë konsumatorët e lidhur ne tension të mesëm. Po ashtu Qëndra e të Dhënave krijon mundësinë në të ardhmen për të shtuar përsëri pika matje të reja.

Kontraktori qe ka realizuar projektin është Konsorciumi “EDMI & GSA” (Singapor dhe Shqipëri).

  1. “Projektimi, furnizimi dhe instalimi i zgjerimit të SCADA/EMS ekzistuese të OST-së në Nënstacionet 110 kV.”

Financuesi i projektit është Banka Botërore.

  • Objektivi i projektit, përshkrimi dhe impakti

Fondet e mbetura të papërdorura nga projekti “Furnizimi dhe Instalimi i Matjes së Transmetimit/Qendra e të Dhënave” OST sh.a. u përdorën për të investuar më tej në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike, si më poshtë:

Konfigurimi i 12 nënstacioneve 110 kV në sistemin ekzitues SCADA/EMS.

SCADA/EMS është sistemi që OST sh.a. përdor për monitorimin dhe operirmin e nënstacioneve 400 dhe 220 kV si dhe të rrjetit të transmetimit në kohë reale.

Ky konfigurim konsiston në krijimin e infrastrukturës së nevojshme, për instalimin e pajisjeve RTU dhe TLC në këto nënstacione dhe nëpërmjet fibrave optike, dërgohen sinjale/të dhëna në sistemin ekzitues SCADA/EMS.

 

  • Realizimi i projektit:

Projekti është duke u përfunduar.

Kontraktori që po realizon projektin është JV “Enbi Power” ltd & “Jacobsen Elektro” AS (Shqipëri & Norvergji)

Në të 12 nënstacionet është përfunduar instalimi dhe konfirgurimi i tyre në terren.

Aktualisht është duke përfunduar edhe konfigurimi i tyre në sistemin SCADA/EMS.