December 14, 2019 webdev

Inaugurohet përfundimi i projektit të zgjerimit të N/Stacionit të Hec Koman

Ka përfunduar projekti tejet i rëndësishëm për sistemin elektro-energjetik shqiptar, zgjerimi i Nënstacionit të Hec Koman, projekt i realizuar në bashkëpunim me Qeverinë Federale Gjermane nëpërmjet bankës KfW, i cili vë në operim një pjesë të linjës 400kV Tirana2-KosovaB. Ministrja Belinda Balluku së bashku me Administratorin e OST, Skerdi Drenova zhvilluan ceremoninë e inaugurimit në praninë e Ambasadores Gjermane në Shqipëri, Susanne Schutz dhe Drejtorin e KfW në Tiranë, Bjoern Thies.
Ky investim është në kuadër të ndërtimit të një sistemi modern të transmetimit të energjisë dhe siguron:

Balancim më të mirë të rrjetit të transmetimit duke rritur kontributin e rrjetit të transmetimit 400kV dhe duke lehtësuar ngarkimin e rrjetit 220kV në periudhat me hidrologji të lartë.

Inkurajim të ndërtimit të burimeve të rinovueshme të energjisë elektrike, duke u garantuar eksportin e energjisë elektrike të prodhuar, pa kufizime nga rrjeti i transmetimit dhe me siguri të lartë.

Reduktim të humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit në periudhat me prodhim të vendit të larte, sidomos në rrjetin 220 kV, ku ato janë mjaft të larta.