Skip to content

Rikonstruksioni i nënstacionit 110 kV Kajan, Belsh

 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zj. Belinda Balluku së bashku me Administratorin e OST, Z.Skerdi Drenova, kanë inspektuar punimet për rikonstruksionin e nënstacionit 110kV të Kajanit në Belsh në të cilin po implementohen teknologji të fundit të cilat përdoren në sektorin energjetik.

Ky investim i OST përfshin demontimin dhe rikonstruksionin e impiantit 110 kV të N/Stacionit Kajan. Pjesë e këtij projekti do të jetë rikonstruksioni i zbarrave 110 kV të nënstacionit dhe zëvendësimi me paisje të reja i dy trakteve 110 kV, të linjave 110 kV Kajan – Kuçovë dhe linjës 110 kV Kajan – Cërrik.

Krahas rehabilitimit të anës 110 kV të paisjeve të nënstacionit është duke u investuar edhe për ndërtimin e një godine të re që do të shërbejë për vendosjen e të gjitha paneleve të mbrojtjes dhe komandimit të trakteve të linjave dhe zbarrave, si dhe akomodimin në kushte më të mira pune të personelit operativ të nënstacionit.

Nga ky investim përfitojnë 4 mijë abonentë të kësaj zone ku përveç përmirësimit të cilësisë dhe rritjes së sigurisë së furnizimit me energji elektrike, projekti parashikon edhe ndërtimin e rrugës që lidh Kajanin me rrugën nacionale.