Skip to content

Afro 1 Milion Euro investim në nënstacionin e Librazhdit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vizitoi Nënstacionin 110 kV të Librazhdit ku po kryhet rikonstruksioni i impiantit 110 kV të këtij nënstacioni. Ky është investimi i radhës i OST në bashkëpunim me OSHEE. Afro 1 milion euro investim i cili përfshin demontimin dhe rikonstruksionin e dy trakteve dalës të linjave Librazhd – Fibër dhe Librazhd – Përrenjas me pajisje totalisht të reja, përmirësimin e skemës elektrike, çka do të mundësojë një operim më të shpejtë dhe më të sigurt të këtij nënstacioni nga ana e personelit operativ. Ministrja Balluku inspektoi punimet që po kryhen në këtë nënstacion dhe që janë realizuar në masën 50% deri më tani. Janë afro 11 mijë abonentë, të cilët përfitojnë nga ky investim. Punimet kanë nisur në Prill të këtij viti dhe që priten të përfundojnë në Prill të 2020. Eshtë duke u implementuar një teknologji e re e pajisjeve primare, siç janë çelësat kompas, e cila bën të mundur komandimin qendror të gjithë nënstacionit si dhe ndërhyrjen në kohë të shpejtë për riparimin e avarive” u shpreh Drejtori i Rrjetit të Transmetimit në OST, z. Dalipi. Ministrja Belinda Balluku theksoi se edhe në këtë rast bashkëpunimi mes OST dhe OSHEE bën të mundur rritjen e efikasitetit duke sjellë rezultate akoma dhe më të mira me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët. “Çfarë është për t’u shënuar, është se ka një bashkëpunim shumë të rëndësishëm midis dy operatorëve, atij të Transmetimit dhe atij të Shpërndarjes, në disa nga nënstacionet, për të krijuar kështu jo vetëm një rrjet transmetimi me siguri të lartë energjetike, por nga ana tjetër për t’i dhënë shërbim shumë më cilësor qytetarëve. Gjithmonë investimet e integruara rrisin efikasitetin e tyre dhe arrijnë që të sjellin rezultate akoma më të mira”, u shpreh Ministrja Balluku. Më tej ajo shtoi se këto investime, krahas përmirësimit të situatës në sektorin energjetik parashikojnë gjithashtu edhe një sërë investimesh të tjera në infrastrukturën e zonës përreth nënstacionit siç është ndërtimi i rrugëve lidhëse. “Në të gjitha zonat ku OST-ja dhe OSHEE-ja ndërhyjnë, përveç anës energjetike, nënstacioneve dhe gjithë teknologjisë moderne që ne fusim, nga ana tjetër diçka që ne arrijmë është që të ndihmojmë dhe zonën duke bërë rrugët lidhëse, duke sistemuar të gjithë problematikën e infrastrukturës që zonat kanë. Kështu që përveç shërbimit energjetik më të mirë dhe më cilësor që do marrin, banorët e zonave ku ne investojmë ndjejnë edhe ndryshimin infrastrukturor”, nënvizoi ministrja Belinda Balluku. Investimi në nënstacionin 110 kV të Librazhdit përfshin edhe zgjerimin e objektit ekzistues për sallën e re të baterive dhe sallën e paneleve ndërsa do të bëhet edhe rrethimi i nënstacionit, drenazhimi i sheshit si dhe ndërtimi i rrugëve të brendshme.