UNAZA ENERGJETIKE E JUGUT, INVESTIM PAS 4 DEKADASH

Katër dekada pas elektrifikimit po kryhet një nga investimet më të rëndësishme për fuqizimin e rrjetit të transmetimit 110kV të jugut të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama, Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri dhe Administratori i OST sh.a. Engjell Zeqo inspektuan, në Himarë, punimet për ndërtimin e linjës elektrike 110 kV Babicë-Sarandë, rreth 109 kilometra, pjesë e unazës energjetike të jugut. Në këtë segment do të investohen 11 milionë euro që synojnë zëvendësimin e rrjetit tërësisht të amortizuar dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit.

Me zhvillimin më tej të këtij investimi, me ndërtimin e dy nënstacioneve 110 kV në zonën e Bregut të Jonit, në Orikum dhe Himarë, ky bëhet i pari investim pas 40 vitesh në sistemin energjetik të kësaj zone. Linja Babicë-Sarandë do të sigurojë furnizimin me energji elektrike, në rast defekti në linjat e transmetimit, për Sarandën, Delvinën, Gjirokastrën dhe Tepelenën dhe gjithashtu garanton funksionimin e sigurt të HEC-it të Bistricës.

 

Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Engjëll Zeqo tha se ky investim do garantojë përmirësimin në mënyrë rrënjësore të cilësisë së shërbimit të energjisë elektrike në një zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit. “Benefiti i kësaj është nëpërmjet zvogëlimit të humbjeve, por edhe duke ulur orët e mungesës së energjisë, që po t’i llogarisësh tani, kostot janë qindra herë më të larta se një energji e blerë shtrenjtë. Njëkohësisht, krijon shumë mundësi për turizmin, pasi sot shumë subjekte kanë probleme tensioni, punojnë me gjeneratorë. Një zonë e paprekur prej shumë e shumë vitesh. Është investimi më i madh që mund të jetë bërë ndonjëherë që nga kohë e elektrifikimit.”

Ky investim dhe në tërësi unaza energjetike e jugut, – nënvizoi po ashtu ministri Gjiknuri, – do të mbyllë përfundimisht problemin e furnizimit me energji të bregdetit të jugut. “Gjithë fshatrat e Bregut, që është dhe pjesa më turistike, duhet të kenë një furnizim me energji shumë normal dhe ky investim shmang të gjitha këto probleme që janë hapur, sidomos kur janë temperaturat e nxehta. Mendoj se brenda dy vjetësh do të kemi një furnizim energjie me standarde bashkëkohore dhe nuk do të ketë më problem, gjithë struktura bazë për zhvillimin e turizmit do të jetë në dispozicion.”

Rrjeti i transmetimit 110kV të jugut të Shqipërisë, ose siç njihet unaza energjetike e jugut, e cila është në fazën e implementimit, përbëhet nga linjat 110kV Vlorë-Sarandë; Ersekë-Përmet; Korçë-Ersekë; Përmet-Këlcyrë-Memaliaj dhe Zemblak-Korçë. Drejtori i OST-së informoi se në shtator përfundon linja Korçë-Ersekë dhe me përfundimin e linjës Babicë-Sarandë, brenda vitit 2015 krejt unaza e jugut do të jetë me një linjë të re. “Paralel po punohet edhe për segmentin e fundit që ka ngelur Korçë-Ersekë dhe në fund të shtatorit mbaron ndërtimi i linjës së re dhe sëbashku me këtë, e gjithë pjesa nga Korça deri në Babicë do të jetë linja e re.”

Sidomos cilësia e dobët e furnizimit të energjisë elektrike është një nga problematikat më të mprehta jo vetëm në jetën e banorëve, por edhe për zhvillimin e të gjithë potencialit turistik të saj. Një histori korrenti që u meruat, – u shpreh Kryeministri, – të cilën “kjo linjë do mbyllë të gjithë problemin që ka bregdeti.” Ndaj dhe ky investim u përshëndet nga banorët, që siç iu drejtua Kryeministrit, një nga banoret e moshuara të Bregut: “na e mbyllni se po fryu, s’kemi [energji], po ra shi, s’kemi. Ajo është një gjë e madhe që po na bën.”  

Në terren, për herë të parë u demonstrua edhe metoda e re e transportimit përmes dronit të fibrave për t’u shtrirë nga një shtyllë në tjetrën, çka deri më sot bëhej në mënyrë manuale nga vetë punëtorët.