Inaugurohet linja 400 kV Shqipëri-Kosovë, një nga veprat më të rëndësishme

28.06.2016
Shqipëria dhe Kosova tanimë janë të lidhura me një “autostradë energjitike”. Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e inaugurimit të përfundimit dhe vënies në punë të linjës së interkonjeksionit 400 kV mes dy vendeve. Projekti u financua nga banka gjermane KfW, për pjesën e Shqipërisë kushtoi 29 milion euro ndërsa punimet në terren filluan Prillin e vitit 2014 dhe përfunduan në Qershor 2016.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z.Edi Rama, Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Isa Mustafa, Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë z.Damian Gjiknuri dhe homologu i tij kosovar z. Blerand Stavileci. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të bankës gjermane KfW, ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, zyrtarë të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës. Segmenti i parë i parë i linjës nga Tirana në Vaun e Dejës me gjatësi 80 km përfshin shtrirjen e qarkut të dytë në linjën ekzistuese Tiranë-Podgoricë dhe Segmenti i dytë i linjës konsiston në ndërtimin e një linje të re me një qark Vau i Dejës-Morinë me gjatësi 71 km.
 Linja e Interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë ka dy përcjellës për fazë të tipit ACSR 490/65 mm 2. Përcjellësi i mbrojtjes nga goditjet atmosferike do të jetë i pajisur në brendësi me fibra optike, për qëllime të telekomunikacionit dhe shkëmbimit të të dhënave.
Ky projekt ka një impakt të rëndësishëm në rritjen e kapacitetit të shkëmbimit të energjisë elektrike midis dy vendeve dhe me vendet e rajonit, krijimin e mundësive më të mira tregtare për shkëmbime të energjisë dhe tranzite në rrjetin rajonal. Linja ndikon në krijimin e mundësive të shfrytëzimit optimal të burimeve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike duke minimizuar kostot dhe rritur eficencën e prodhimit. Vepra rrit besueshmërinë e operimit të sistemit elektroenergjetik të dy vendeve dhe atij rajonal. Kjo linjë redukton riskun hidrologjik në Shqipëri, ku prodhimi i energjisë elektrike është i bazuar tërësisht në hidrocentrale. Gjithashtu ndihmon në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit dhe përmirësimin e balancimit të rrjetit të transmetimit dhe manovrueshmërisë së tij. 
Fjala e rastit, mbajtur nga Administratori i OST sh.a., Z. Engjëll Zeqo :
I nderuar Kryeminister i Shqiperisë Z. Edi Rama,
I nderuar Kryeministër i Kosovës Z. Isa Mustafa,
E nderuar përfaqësuese e Republikës Federale Gjermane në Shqipëri Znj. Kristiana Wolters,
I nderuar përfaqësues i bankës KfW Z. Juergen Kern
Të nderuar Minisitra të Shqipërisë dhe Kosovës,
I nderuar koleg i KOSTT z.HASANI
 
Të nderuar pjesëmarrës , Zonja dhe Zotërinj,
Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në ceremoninë e inagurimit të linjës së interkoneksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë. Perfundimi i ndërtimit të Linjës 400 kV Shqipëri – Kosovë është një zhvillim i vecantë jo vetëm për OST dhe KOSTT por edhe për dy vendet tona, pasi kjo linjë krijon kushte për një unifikim teknik të sistemit eletroenergjitik të Shqipërisë dhe të Kosovës.
 Ky investim i rëndësishëm i financuar në të dy anët e kufirit nëpërmjet një kredie të dhënë nga qeveria gjermane përmes bankës KfW, me një vlerë rreth 70 milion euro është një shembull suksesi që duhet të vazhdojë dhe me projekte të tjera në të ardhmen. Përfitoj nga rasti që në prani të dy Kryeministrave të falënderoj, Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Kosovës KOSTT dhe bankën Gjermane KfW, për angazhimin maksimal në realizimin e këtij investimi madhor.
Linja e Interkoneksionit Shqipëri – Kosovë, fillon nga nenstacioni Tirana 2, ku ndodhemi sot dhe mbaron në nënstacionin Kosova B në Prishtinë, me një gjatësi totale 242 km. Pjesa e cila shtrihet në territorin e Kosovës është me gjatësi rreth 90 km, dhe pjesa tjetër po në territorin shqiptar është me gjatësi 152 km.
Në Shqipëri realizimi i këtij projekti u nda në dy lote :
 
·      Loti i parë përfshinte ndërtimin e linjës 400 kV, me plotësimin e qarkut të dytë në pjesën e Linjës 400 kV Tirana2 –  Vau i Dejës, me gjatësi 80 km, dhe segmentin e linjës me një qark nga Vau i Dejës në Kufi (Morinë) me një gjatësi prej 72 km. Implementimi  i lotit të parë është realizuar nga kompania Energoinvest nga Bosnja dhe Herzegovina, me vlerë 28.9 milion Euro.
 
·      Loti i dytë përfshin instalimin e një shunt reaktori në N/st 400 kV Tirana 2 për ruajtjen e nivelit të tensionit në rrjetin 400 kV si dhe ndërtimin e një sistemi të kontrollit fuqi – frekuence të përbashkët, midis sistemit elektroenergjetik të Shqipërisë dhe atij të Kosovës. Implementimi i lotit të dytë është realizuar nga kompania ABB Gjermani, me vlerë 5.1 milion euro.
Për vet kompleksitetin, përmasat dhe terrenin ,ndërtimi  i linjës ka qenë një sfidë jo vetëm për OST, por dhe për KOSTT, kontraktorët dhe konsulencën, të cilët kontribuan për të finalizuar me sukses dhe brenda afatit të përcaktuar këtë projekt.
Kontrata për realizimin e këtij projekti u bë efektive në muajin Maj 2014 dhe implementimi i tij u realizua për 2 vjet. Përfundimi në kohë i ndërtimit të Linjës është bërë i mundur falë një angazhimi maksimal të OST, pasi në të shkuarën projekti është ndeshur me tejzgjatje të procedurave dhe me vonesa që rrezikonin implementimin e tij në kohë, falë mbështetjes së dhënë nga KfW, këto problematika u tejkaluan dhe projekti u realizua në afatet e përcaktuara në kontratë.
 
Linja e re është ndërtuar në përputhje të plotë me standartet teknike, duke shmangur njëkohësisht në maksimum ndikimet  ambjentale dhe ruajtur zonat e mbrojtura natyrore dhe ato me potencial të mundshëm arkeologjik. Përmendim këtu, ndryshimin e trasesë së linjës pranë HEC Koman në një gjatësi të konsiderueshme, për t’u shmangur nga zona e mbrojtur arkeologjike, me rëndësi të madhe për trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Pavarësisht ndryshimeve eventuale gjatë realizimit në terren të projektit, falë një mirëmenaxhimi të tij nga OST, ai është realizuar me një kosto më të ulët nga ajo e kontraktuar.
 
Linja e interkoneksionit Tirana2 – Kosova B do të mundësojë lidhjen direkte me linjë 400 kV të sistemeve elektroenergjitike të Shqipërisë dhe Kosovës, duke fuqizuar dhe lidhjen e këtyre dy sistemeve me rrjetin e rajonit. Kjo linjë interkoneksioni do të ndihmojë në balancimin e sistemeve energjitike të dy vendeve, do të reduktojë riskun hidrologjik në Shqipëri, si dhe do të krijojë kushte për zhvillimin e  një tregu të përbashkët dhe të integruar në tregun rajonal dhe Europian të energjisë elektrike në të ardhmen.
 
Linja 400 kV Tirana2- Kosova B do të rrisë besueshmërinë e operimit të sistemit elektroenergjetik të Shqipërisë, Kosovës dhe të pjesës Jugore të Ballkanit, rrjeti i intekoneksionit do të funksionojë në mënyrë të sigurtë edhe në rastin e shkëmbimeve me kapacitet shumë të lartë, duke përmbushur kriterin e sigurisë statike N-1, cka do të rrisë kualitetin e shërbimit të energjisë elektrike në rajon.
 
Një komponent mjaft i rëndësishëm i projektit ishte dhe realizimi i një sistemi kontrolli fuqi – frekuencë të përbashkët Shqipëri – Kosovë. Sot ky rregullim i përbashkët nuk është me një projekt por një realitet , që mundëson shkëmbimin e rezervës automatike sekondare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
 Zgjidhja teknike e implementuar është në përputhje të plotë me Politikat e ENTSO – E,  e cila bënë të mundur optimizimin e balances Fuqi/Frekuence për  të dy sistemet e Transmetimit duke minimizuar kështu cdo devijim të mundshëm.
 Eshtë e domosdoshme një ndërhyrje në nivelet më të larta të ENTSO – E dhe Komisionit Europian për të bërë të mundur lejimin e KOSTT për të operuar si një zonë e pavarur kontrolli. Operimi i KOSTT si një zonë e pavarur kontrolli është domosdoshmëri për menaxhimin tregtar të kësaj Linje.
 
Duke përfituar nga ky rast, dëshiroj të falënderoj  qeverinë Gjermane dhe Institucionet e tjera Financiare Ndërkombëtare për kontributin e madh që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për zhvillimin e sistemit të transmetimit të Shqipërisë, nëpërmjet financimit të projekteve të rëndësishme në këtë fushë. Gjithashtu falënderoj Qeverinë Shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama, për vëmendjen e vecantë që kanë treguar për Sektorin e Energjisë Elektrike.  Falë kësaj mbështetje janë zgjidhur problematikat e krijuara ndër vite me disa projekte të rëndësishme, por që tashmë ato kanë përfunduar dhe janë në operim, dhe ndërkohë është hapur rruga  për projekte të tjera  të rëndësishme në përputhje me programin e zhvillimit të rrjetit të transmetimit.
Së fundmi dëshiroj të theksoj se OST, mbështetur në Strategjinë e Qeverisë për sektorin elektroenergjitik e ka ngritur sistemin e transmetimit në standartet e nivelit europian dhe ka një plan të qartë zhvillimi për të garantuar  në vazhdimësi një shërbim cilësor dhe të sigurtë për të gjithë përdoruesit e sistemit të transmetimit, prodhues, konsumatorë apo tregtare të energjisë elektrike.
 
Ju faleminderit,