INAUGURIMI I LINJËS 110 KV UNAZA E JUGUT TË SHQIPËRISË

Kryeministri Z. Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri dhe administratori i OST-së Engjëll Zeqo morën sot pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve për projektin energjitik “Unaza e Jugut të Shqipërisë”.

INFORMACION TEKNIK:

 Projekti i financuar nga një kredi e qeverisë gjermane nëpërmjet Bankës KfW kapte vlerën e 49 milion Eurove ndërsa parashikonte fuqizimin dhe zgjerimin e rrjetit 110 kV. Loti i parë përfshinte zgjerimin e N/stacionit 400/110 kV Zemblak me një transformator të dytë 400/110 kV, me fuqi 150 MVA dhe plotësimin e skemës primare të Nënstacionit.

Loti i dytë përfshinte ndërtimin e linjës 110 kV Ersekë – Përmet, 56 km; ndërtimin e linjës 110 kV Babicë – Sarandë, 104 km; ndërtimin e qarkut të dytë të linjës 110 kV Zëmblak – Korçë, 13 km; rehabilitimin e linjave 110 Memaliaj – Këlcyrë – Përmet dhe Korçë – Ersekë, 105 km dhe zgjerimet respektive të impianteve 110 kV në N/st Babicë, Sarandë, Korçë, dhe punime rehabilituese në N/st Përmet dhe Memaliaj.

Projekti ka një shtrirje mjaft të gjerë duke përfshirë pjesën perëndimore dhe atë lindore të jugut të Shqipërisë. Ndërtimi i linjës 110 kV Babicë – Sarandë, ka mbyllur në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110 kV, duke plotësuar kriterin e rezervimit të furnizimit me energji elektrike në rast defekti në linjat e transmetimit, të një zone të gjërë që përfshin rrethet e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës e Tepelenës dhe gjithashtu garanton funksionimin e sigurtë të HEC Bistricë.

Kjo linjë mundëson ndërtimin e nënstacioneve 110/35/20 kV Orikum dhe Himarë, që të shoqëruar dhe me zhvillimin e rrjetit 20 kV nga Operatori i Shpërndarjes,  do të përmirësojnë në mënyrë rrënjësore cilësinë e shërbimit të energjisë elektrike në një zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit.

Fuqizimi i nënstacionit 400/110 kV Zëmblak dhe zgjerimi i rrjetit 110 kV në zonën juglindore, gjithashtu ka mbyllur në unazë një pjesë të rrjetit ekzistues 110 kV. Në këto kushte krijohet mundësia e furnizimit të zonës Jugore, nëpërmjet fluksit të fuqisë që futet nga nënstacioni 400/110 kV i Zëmblakut. Për pasojë reduktohet fluksi i fuqisë që vjen nga linjat e largëta të rrjetit 220 kV, duke balancuar më mirë dhe vet unazën 220 kV të Jugut, që përbën një problem për sigurinë e furnizimit të një zonë të gjerë.

Përfundimi i projektit “Unaza e Jugut” hap dritën jeshile për të vazhduar tashmë me ndërtimin e dy n/st 110 kV në zonën e bregut të detit Jon: Orikum dhe Himarë, që janë në fazë tenderimi.