September 19, 2019 marin

Historiku / Misioni

Sistemi i transmetimit të energjisë elektrike në Shqipëri drejtohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST sh.a), një shoqëri publike me 100% të aksioneve shteterore.

OST është krijuar më 14 Korrik 2004, si rezultat i reformimit dhe ndarjes së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, nga një shoqeri e organizuar vertikalisht me funksione të gjenerimit, transmetimit dhe Shpërndarjes së energjisë elektrike, në tre shoqëri të veçanta. OST kryen funksionet e Operatorit të Rrjetit të Transmetimit, Operatorit të Sistemit të Dispeçimit dhe Operatorit të tregut.

OST garanton kapacitetet e nevojshme transmetuese për:

  • (i) furnizimin e pa ndërprerë me energji elektrike të nënstacioneve të sistemit të shpërndarjes (OSHEE) dhe konsumatorëve të energjise elektrike të lidhur direkt në rrjetin e transmetimit,
  • (ii) transmetimin e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vendit,
  • (iii) si dhe për tranzitet dhe shkëmbimet e nevojshme me vendet e rajonit.

OST zhvillon sistemin e transmetimit në përputhje me kërkesat afatgjata të furnizimit të vendit me energji elektrike, me planet e zhvillimit të burimeve të reja të energjisë elektrike dhe koordinon zhvillimin e rrjetit të interkoneksionit me vendet fqinje.

OST dispeçeron sistemin elektroenergjetik nëpërmjet menaxhimit të flukseve të energjisë në sistem duke marrë parasysh realizimin e të gjitha shërbimeve ndihmëse që lidhen me qëndrueshmërinë e sistemit si dhe shkëmbimet me sistemet e tjera.

Një rol i rëndësishëm ështe dhe ai i Operatorit të tregut të energjisë elektrike, funksionet e të cilit po zgjerohen gradualisht me hapat që po hidhen për krijimin e nje tregu të lirë të energjise elektrike në Shqipëri, si dhe integrimin e këtij tregu në tregun rajonal të energjisë elektrike.