Operatori i Sistemit te Transmetimit

Administratori i OST sh.a. Skerdi Drenova shprehet mbi situaten e krijuar nga COVID-19 dhe ecurinë e punës në OST. - OST

Situata e krijuar nga COVID-19 ka evoluar dhe po shohim se pasojat janë më të gjera duke prekur ekonominë dhe gati të gjitha aspektet e jetës tonë.

Në këtë kontekst, dëshiroj t’ju sjellë në vëmendje se OST sh.a. ka përgjegjësi të veçantë në këtë kohë si operatori strategjik i vetëm i sistemit të transmetimit të energjisë në vend. Fokusi kryesor i OST ka qenë dhe mbetet sa te siguria e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike dhe garantimi i vazhdimësisë së funksioneve kritike të tij aq edhe tek siguria dhe shëndeti i punonjësve në punë.

Pavarësisht riorganizimit të mënyrës së punës, burimeve njerëzore dhe prezencës në ambientet e punës në kushtet e rregullave të diktuara nga pandemia e COVID-19, të gjitha aktivitetet kryesore të OST sh.a. janë zhvilluar normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke e përballuar këtë situatë kritike në mënyrë të suksesshme në të mirë të ekonomisë dhe mirëqenies sociale.

Kështu:

  • Gjatë 6 muajve të parë të vitit 2020 në rrjetin e transmetimit kanë hyrë 4,050 GWh energji elektrike aq sa ishte parashikimi për periudhën. Treguesi i humbjeve në rrjet është përmirësuar krahasuar me parashikimin, duke rënë në 2.2%.
  • Janë realizuar të gjitha remontet e planifikuara dhe është ndërhyrë në kohë për eleminimin e të gjitha avarive që janë shfaqur gjatë kësaj periudhe.
  • Ka vazhduar puna për realizimin e investimeve, ku fokusi ka qënë kryesisht në rehabilitimin dhe rikonstruksionin e nënstacioneve të transferuara nga OSHEE, si edhe ndërtimin e linjave të tensionit të lartë.
  • Ka vijuar puna për zbatimin e projekteve strategjike me fonde të huaja, të tilla si Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kV Elbasan2-Bitola dhe Elbasan2-Fier dhe zgjerimi i nënstacioneve Elbasan2 dhe Fier, si edhe Programi i Eficences se Energjise se Sektorit te Transmetimit, Linja 400 kV me dy qarqe Tirana 2 – Rrashbull dhe përforcimi i unazës 110 kV të Tiranës.
  • Me miratimin e Rregullave të Tregut Balancues, ka vijuar puna për implementimin e fazës “Dry Run”, e cila është faza e kryerjes së testimeve dhe simulimit të operacioneve dhe proceseve që lidhen me tregun e energjisë.
  • Fokus të veçantë gjatë kësaj periudhe ka patur edhe krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, e cila përben një hap të rëndësishëm në krijimin e një tregu funksional dhe konkurrues të energjisë elektrike me synim integrimin rajonal dhe europian të tij. Ekipi i OST sh.a. ka patur një rol kyç në procesin e përzgjedhjes së aksionerve të Bursës së Energjisë, të cilët tashmë janë OST sh.a. dhe KOSTT sh.a.

Brenda muajit shtator pritet të themelohet kompania për të vazhduar më pas punën për krijimin e të gjitha kushteve dhe investimeve të nevojshme për ta çuar Bursën e Energjisë në operim dhe aktivitet në tremujorin e parë të 2021 me tregun e ditës në avancë.

  • Është mbyllur me sukses i gjithë procesi i marrjes së Autorizimit të Përgjithshëm nga AKEP, ku OST sh.a. tashmë është ofrues i shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe ka të drejtë të operojë dhe të konkurrojë në këtë treg me rrjetin e tij të bazuar plotësisht në fibër optike dhe të ofrojë shërbimet e komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë dhe ultra të lartë në këtë treg. OST sh.a. do jetë infrastruktura strategjike digjitale për të ardhmen e Shqipërisë.

Falenderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe po punojnë me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19, duke dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të përkushtimit, profesionalizmit dhe solidaritetit në komunitetin tonë.

Në vijim kërkoj që të përqendrohemi në këto tre prioritete thelbësore:

  • Siguria e të gjithëve: Të gjithë ne mund të japim kontributin tonë pozitiv vetëm nëse qëndrojmë të shëndetshëm dhe shmangim përhapjen e virusit.
  • Vazhdimësia e biznesit: Është e qënësishme që OST sh.a. të realizojë objektivat dhe qëllimin pavarësisht situatave. Ndaj ne do të vazhdojmë angazhimin tonë maksimalisht për të mundësuar operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit energjetik në vend.
  • Realizimi i të gjitha detyrave dhe përgjegjësive: Gjithësecili prej nesh duhet të punojë në përmbushje të misionit tonë, sigurimin e energjisë tek njerëzit, pa asnjë ndërprerje e në çdo cep të vendit ku ata jetojnë e punojnë.

Kemi kaluar nëpër momente të vështira, por nuk jemi shfokusuar nga objektivat tona. Jam i bindur se çdo sfidë që kemi përpara do na japë energji pozitive në punën dhe jetën tonë dhe se të gjthë së bashku do dalim nga kjo situatë edhe më të fortë.

Qendrojmë të sigurtë!

Skerdi